Konferenca shkencore ndërkombëtare

“Poeti i madh i popullit të shquar shqiptar” është një nga emërtimet e pafundme me të cilat është pagëzuar poeti ynë kombëtar padër Gjergj Fishta, i cili përgjatë krejt vitit 2021 është përkujtuar me aktivitete dhe konferenca nga më të ndryshmet që janë zhvilluar pikërisht në 150-vjetorin e lindjes së tij. Organizimet gjatë këtij jubileu janë mbajtur brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Kjo dëshmon më së miri jehonën e këtij kolosi, i cili përmes shkrimeve dhe idealeve të tij është më aktual se kurrë. Të qenurit “aktual” është një cilësi e Fishtës, e cila është dëgjuar shpesh sidomos në këtë 150-vjetor të lindjes së tij. Por përse thuhet kështu për të? Janë pikërisht temat rreth atdheut, fesë, lirisë, nderit, kombit etj., në të cilat Fishta ka shprehur shqiptarin në integralitetin e tij me të gjitha vështirësitë, idealet, luftërat, gëzimet, zakonet e traditat.

 

Në aktivitetet kushtuar Fishtës kemi pasur mundësinë të thellohemi në veprën e tij me anë kumtesave të bëra nga studiues të ndryshëm, të cilët së bashku kanë ndërtuar një pamje më të plotë të Fishtës, pasi secili prej tyre është ndalur në aspekte të veçanta të tij. Aktiviteti më i gjerë dhe përmbyllës në një farë mënyre është ai i organizuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Departamentin e Letërsisë, Departamentin e Gjuhësisë, Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Provincën Françeskane Shqiptare. Konferenca shkencore ndërkombëtare me titullin “Atë Gjergj Fishta: Kërkime dhe interpretime” u mbajt më 15 dhjetor 2021 në ambientet e Rektoratit tek Universiteti “Luigj Gurakuqi” dhe te Biblioteka “Marin Barleti” nga ora 10:00 deri në orën 13:30.

 

Konferenca është ndarë në disa momente kryesore. Ajo ka filluar në orën 10:00 me përshëndetjet e bëra nga drejtoresha e Departamentit të Gjuhësisë prof. as. dr. Orjeta Baja, rektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” prof. dr. Suzana Golemi, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. prof. dr. Skënder Gjinushi. Pastaj ka vijuar seanca e parë nga 10:30 – 11:00, e cila është udhëhequr nga akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, akad. prof. dr. Shaban Sinani, prof. dr. Sheije Islamaj dhe prof. as. dr. Arben Prendi. Në këtë seancë kanë kumtuar prof. dr. Artan Haxhi – prof. dr. Tefë Topalli (Shkodër) me temën “Atë Gjergj Fishta personalitet i letërsisë dhe i kulturës shqiptare”,  akad. prof. dr. Sabri Hamiti (Prishtinë) me temën “150-vjetori i Fishtës”, prof. dr. Tomor Osmani (Shkodër) me temën “Fishta në Manastir”, akad. prof. dr. Shaban Sinani (Tiranë) me temën “Kanoni dhe tradita – një çështje e zgjidhur në mënyrë laike në mitologjinë e Fishtës”, prof. dr. Sheije Islamaj (Prishtinë) me temën  “Pasuria leksikore – shenjë identifikuese e gjuhës së Gjergj Fishtës”, akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj (Tiranë) me temën “Shqiptaria dhe virtytet e malësorëve në ‘Lahutën’ e Gj. Fishtës”, prof. dr. Stefan Çapaliku (Tiranë) me temën “Fishta satirik” dhe prof. as. dr. Arben Prendi (Shkodër) me temën “Aktualiteti i veprës fishtiane”.

 

Më pas është bërë një pushim i shkurtër nga ora 11:30 deri në orën 12:00. Pas pushimit konferenca ka vijuar me katër seanca paralele të mbajtura në ambientet e Universitetit dhe Bibliotekës. Në secilën seancë, siç u tha edhe më lart, dolën në pah dhe u analizuan aspekte të ndryshme të padër Gjergj Fishtës, pasi ai qe një njeri me dhurata të shumta e ato dhurata i përdori më së miri duke dhënë kontributin e tij në shumë fusha të jetës. Me këtë konferencë përfundon edhe jubileu kushtuar Fishtës në 150-vjetorin e tij të lindjes. Për ta përmbyllur po japim edhe një emërtim tjetër për Fishtën nga padër Konrrad Gjolaj, i cili thekson se “Fishta është një nga ata njerëz të rrallë që duken në qiellin e një kombi e lënë pas vetes një dritë që ngroh zemrat e brezave të shumë shekujve”.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fotostudio Nënshati