Në një atmosferë të mbushur me lutje, gëzim dhe përkushtim shpirtëror, u zhvillua ceremonia e bekimit të statujave të Shën Françeskut të Asizit dhe Shën Kjarës, dy prej figurave më të rëndësishëm dhe të dashura të familjes françeskane. Ky moment i veçantë mblodhi, besimtarë, meshtarë, rregulltarë, ku të pranishme ishin edhe motrat Klarise. U bashkuan të gjithë së bashku për të kremtuar me rëndësi të veçantë pasi ky vit është vit Jubilar ku kujtohet 800 vjetori i kalimit në amshim i Shën Françeskut të Asizit. Keto statuja nuk janë vetëm vepra artistike, por edhe simbole të gjalla të vlerave ungjillore që Shën Françesku dhe Shën Kjara mishëruan gjatë jetës së tyre. Ato do të shërbejnësi një kujtesë e vazhdueshme për rëndësinë e dashurisë, paqes, sacrifices, besimit dhe ungjillëzimit në jetën e përditshme.
Ky kremtim i rëndësishëm u zhvillua me datën 09.06.2026 në Kishën e Shën Françeskut, Gjuhadol- Shkodërn ë orën 18:00. Ku u kremtua mesha e shenjtë nga Mons. Miroslaw Adamczuk Nunci Apostolik në Shqipëri. Bashkëkremtues ishin edhe: Fra Pashko Gojçaj Provincial i Provincës Françeskane Shqipëtare “Zoja Nunciatë”, Fra Gazmend Tinaj Rektor i Kishës së Shën Françeskut, Shkodër.
Mons. Miroslaw në predikimin e tij tha:
I nderuari Atë Pashko
Gojçaj, Kustod,
I nderuari Atë Gazmed Tinaj, Rektor,
Fretër të nderuar, Motra rregulltare,
Vëllezër dhe motra të dashur në Krishtin.
Ju përshëndes të gjithëve me shumë përzemërsi në emër të Papa Leonit XIV, të cilin kam nderin ta përfaqësoj në Shqipëri prej disa muajsh. Jam gjithashtu personalisht shumë i lumtur që mund të kremtoj Eukaristinë në kishën historike të Shën Françeskut në Shkodër. Falënderoj Etërit Françeskanë për ftesën e tyre të përzemërt.
Kremtimi ynë zhvillohet në Vitin Jubilar Françeskan 2026, i cili përkujton 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit. Ky është një kohë hiri, reflektimi dhe shtegtimi, i përqendruar në vlerat e fesë, paqes, vëllazërisë dhe dashurisë për krijimin.
Sot është gjithashtu e marta, 9 qershor, pra e fundit nga trembëdhjetë të martat e Shën Antonit, të cilat na përgatisin për festën e afërt të atij shenjti të madh të Padovës. Dhe, së fundi, gjatë kësaj Eukaristie do të bekohen dy statuja të shenjtorëve të mëdhenj të botës françeskane: Shën Françeskut dhe Shën Klarës. Duhet të shtoj se janë dy statuja shumë të bukura, vepra të mjeshtërve të Val Gardenës në Italinë Veriore, një krahinë e njohur për skulpturat e saj të mrekullueshme fetare në dru.
Reflektimin tonë biblik e kemi nisur me tregimin nga Libri i Parë i Mbretërve. Historia e vejushës së Sareptës është një nga faqet më të thella të Biblës mbi Hyjnoren e Provaninë dhe besimin e pakushtëzuar. Kjo histori na mëson se feja nuk matet me atë që zotërojmë, por me aftësinë për të dhënë “pakën” që na ka mbetur kur gjithçka duket e humbur.
Kërkesa e Elis sfidon çdo logjikë njerëzore: ai i kërkon një nëne të dëshpëruar t’ia japë vaktin e saj të fundit një të huaji. Megjithatë, vejusha bindet. Ai gjest i plotë bujarie hap rrugën për mrekullinë e Providencës: “Mielli në enë nuk u pakësua dhe vaji në qyp nuk mbaroi, sipas fjalës që Zoti kishte thënë nëpërmjet Elis.”
Vejusha e Sareptës na jep një mësim mbi Provaninë e Hyjit, mbi besimin e pakushtëzuar dhe mbi bujarinë. Në Besëlidhjen e Re kemi vejushën e dy monedhave, e cila na tregon se bujaria e zemrës ka më shumë vlerë se sa madhësia materiale e dhuratës.
Provania, besimi dhe bujaria janë pikërisht tri virtyte të Shën Françeskut, Shën Klarës dhe Shën Antonit.
Marrëdhënia e Shën Françeskut të Asizit me Provaninë Hyjnore është themeli i karizmës françeskane. Për Françeskun, varfëria e plotë nuk ishte privim, por liria e plotë nga të mirat materiale për t’iu besuar tërësisht Hyjit, të cilin ai e shihte si Atin e kujdesshëm që ushqen zogjtë e qiellit dhe vesh zambakët e fushës.
Shën Françesku besonte se ekzistonte një lloj “besëlidhjeje” midis fretërve të tij dhe botës: fretërit duhej t’i jepnin botës shembullin e mirë dhe Fjalën e Hyjit, ndërsa Provania do të prekte zemrat e njerëzve për të siguruar nevojat e tyre materiale. Kur nuk kishin ushqim, fretërit ftoheshin të kërkonin lëmoshë me përulësi, duke e konsideruar atë që merrnin si një dhuratë të drejtpërdrejtë nga Hyji.
Besimi i tij i plotë në Provaninë u shfaq në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë kthimit të tij shpirtëror, kur ai hoqi rrobat para ipeshkvit të Asizit dhe ia ktheu të atit tokësor, duke shpallur se prej atij çasti do të kishte vetëm “Atin tonë që është në qiell”. Kjo mungesë e plotë e sigurisë njerëzore i bënte fretërit të vareshin vetëm nga bujaria hyjnore.
Ndërsa për Shën Klarën, besimi është themeli i jetës së saj shpirtërore. Për Klarën, feja nuk është një ide abstrakte, por një dorëzim i plotë në dashurinë e Hyjit, i jetuar me bindjen se Provania udhëheq çdo hap të jetës.
Nëse flasim për bujarinë, nuk mund të mos kujtojmë “Bukën e të varfërve” të Shën Antonit, një ftesë e përhershme për të ndarë ushqimin me më të varfrit.
Duke ia kushtuar sot Hyjit këto dy statuja të Shën Françeskut dhe Shën Klarës, kujtojmë dy shenjtorë që kanë qenë kripa e tokës dhe drita e botës. Shembulli i Shën Françeskut, Shën Klarës dhe Shën Antonit na mësoftë të kemi besim në Provaninë Hyjnore dhe të jemi bujarë; po ashtu, le të jenë ata për ne ndihmë që të ndjekim Zotin tonë Jezu Krisht.
Amen.
Teksti: Fra Sergjo Jaku
Foto: Fototstudio Nenshati