E Kremtja e Zojës Nunciatë dhe Shugurimi Meshtarak

  Shugurimi është përkushtimi solemn ndaj një qëllimi apo shërbimi të veçantë, zakonisht fetar. Fjala “shugurim” do të thotë “bashkim me ç’është e shenjtë”. Mund të shugurohen njerëz, vende, ose sende e, termi përdoret në mënyra të ndryshme nga grupe të ndryshme.

 

   Në Kishën Katolike, termi “shugurim” përdoret për të treguar se njerëz, ose objekte janë në shërbim të Zotit.  Për shembull, gjatë meshës, shugurohet buka dhe vera. Pra, duke shqiptuar fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, me hirin e Tënzot, buka dhe vera shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit. Në liturgjinë katolike, termi “shugurim” u rezervohet vetëm disa riteve si: bekimi i Bagmit të Shenjtë, shugurimi i ipeshkvit dhe kushtimi i një kishe.   Në kuadrin e përshpirtërisë katolike, përdoret termi “shugurim” edhe në rastin kur një person ia kushton jetën krejtësisht Zotit, duke u bërë meshtar. Shugurimi i një meshtari bëhet përmes shtrirjes së duarve sipër kokës së tij nga ana e ipeshkvit, dhe ku ipeshkëvi bën lutjen e shugurimit.

 

   Meshtaria është shërbesa fetare ose misioni që ushtron një prift në Kishën Katolike. Sipas doktrinës Katolike, ajo nuk konsiderohet si një profesion apo karrierë, por si një thirrje hyjnore dhe një shërbim ndaj Zotit dhe popullit.  Është shërbimi i veçantë i priftërinjve që kanë marrë Sakramentin e Urdhrit të Shenjtë. Ata veprojnë në emër të Krishtit për të kremtuar meshën e shenjte, për të dhënë sakramentet (si rrëfimi apo pagëzimi) dhe janë barinj që udhëheqin popullin nga ana shpirtërore. 

 

   Me datë 25.03.2026, Provinca Françeskane Shqiptare pati gëzim të dyfisht: gëzimi i parë është Kremtimi i festës së “Zojes Nunciatë” e cila është Pajtoria e Provinces. Ndërsa gëzimi i dytë është shugurimi meshtarak i dy fretërve, bijtë e Shën Françeskut: Fra Anton Gilaj e Fra Tome Bushpreni. Po këtë ditë u kremtua mesha e shenjtë në kishën e “Shën Françeskut- Gjuhadol, Shkodër”, në orën 10:00. Meshën e kremtoi Arqipeshkëvi i Shkodër- Pult Mons. Giovanni Peragine; bashkëkremtuan, Fra Pashko Gojçaj Provincial i Provincës Françeskane të Shqipërisë dhe Malit të Zi “Zoja Nunciatë”, Fra Ivan Sesar Delegati Gjeneral nga Roma, Fra Massimo Tunno Provinciali i Provinces Lecce- Itali, ishin edhe fretërit nga  nga provinca e Bosnies, .

    Në meshë morën pjesë edhe shumë meshtarë nga dioqeza të ndryshme si: Dioqeza e Tivarit, Sapes, Rreshenit, Tirane- Durres, dhe nga Polonia, Italia. Të pranishëm ishin edhe familjarë, miq të Fra Antonit e Fra Tomës. 

 

   Ky kremtim u zbukurua edhe nga zërat melodioz e të bukur nga kori i kishës së "Shën Françeskut", në bashkëpunim me motrat të kongregatave të ndryshme, që jetojn dhe shërbejnë në dioqezën e Shkodrës, të cilët bënë të mundur që me këngë të hynim më thellë shpirtërisht në liturgji.

 

 

 

 

Teksti: Fra Sergjo Jaku

                                                                                                                                                   Foto: Nenshati